Dita e
1794

Genta e “BB 5”: Miqtë e mi të pabesë e shitën lajmin e abortit tim për pesë lekë

Askush s’do ta kishte menduar se vajza nga një fshat i Korçës që hyri në “Big Brother 5”, do të kishte krijuar kaq shumë skupe brenda një kohe kaq të shkurtër. Pas fotove të shumëpërfolura provokuese që dolën në qarkullim ndërsa Genta ishte në kulmin e lojës, pas përballjeve me ish-të dashurin Rubensin dhe konflikteve me të dashurin e saj futbollist nga Gjirokastra, Emilio, tashmë një lajm edhe më i rëndë për Gentën.

Bëhet fjalë për një abort, që qarkulloi javën e kaluar në faqet e shtypit rozë, pa asnjë aprovim nga vetë ish-konkurrentja e BB. Lajmi që qarkulloi si një thashethem e që ka sërish në objektiv banoren e BB Genta, nuk mund të kalohet aq thjesht.

Genta në fillim është munduar ta mohojë këtë lajm, por kur ka kuptuar se kanë dalë në shesh shumë detaje nga ky fakt, ka vendosur të japë vetëm një prononcim për gazetën “Panorama”, ndërsa e ka konsideruar një çështje shumë delikate të jetës së saj. Duke fajësuar edhe gazetarët, që sipas saj kërkojnë të shesin e të përfitojnë nga diçka kaq delikate, ajo është shprehur: “Nuk kam ç’të them më shumë, përveç turp të kenë ata “shokët” e mi, që unë u kërkova ndihmë në një moment nevoje, dhe ata e shitën për pesë lekë lajmin e abortit”. Genta ka vendosur të kalojë disa ditë në shtëpinë e saj në Korçë, ndërsa është kthyer dje në Tiranë për të vazhduar jetën këtu, duke kërkuar për ndonjë ofertë pune. Nuk dihet nëse ajo do të mund të flasë në lidhje me këtë histori në jetën e saj, që edhe ajo vetë e ka komentuar si tronditëse.