Dita e
640

Flet i dashuri, fotografi Endrit Mërtiri: Ju rrëfej si e njoh unë Elenën

elenaRa në sy për pamjen e saj prej kokete dhe mendimet kontraverse. 19- vjeçarja nga Tirana, Elena Lika, mund të jetë e piketuara e djemve brenda shtëpisë së “BB6”, por ajo nxitoi të deklaronte lidhjen e saj me fotografin Endrit Mertiri. Një rrëfim për modelen që synon televizionin, historinë e tyre të dashurisë dhe ca sekrete të tjera i zbulon Endriti, i cili tregon për lidhjen e tyre pasionante prej 1 viti e 3 muajsh.

Elena është një nga të rejat më me këmbë në tokë që kam njohur, pra është realiste. E njeh mirë veten e saj, me të mirat dhe të këqijat që ka dhe për pasojë edhe dobësitë i kthen në armë për veten. Sikundër më pëlqen shumë fakti që është këmbëngulëse. Ajo nuk është biondja e bukur që di vetëm të grimohet, të vishet dhe të bëjë sfilatë. Jo. Ajo është shumë më shumë se kaq. Të gjithë ata që e njohin, e dinë që Elena, ndonëse vetëm 19 vjeçe, ka pjekurinë e një 26-vjeçareje në mendime.

Si jeni njohur bashkë, në ç’rrethana?
Jemi njohur gjatë spektaklit “Albanian Next Top Model”. Elena ishte një nga konkurrentet aty, ndërsa unë fotografi i spektaklit. Në fillim kemi qenë shokë të mirë, por më pas duke kaluar shumë kohë bashkë, filluan edhe ndjenjat..
Sa kohë keni që jeni çift dhe sa e fortë ka qenë lidhja juaj?
Ekzaktësisht kemi një vit e tre muaj që jemi bashkë. Si çdo lidhje tjetër, edhe kjo e jona ka pasur uljet dhe ngritjet e veta, po gjithsesi me rëndësi është që fundi i ditës na ka gjetur gjithmonë të pajtuar (buzëqesh).
Të ka marrë mendim për pjesëmarrjen e saj në BB, dhe cila është ambicia e saj në këtë garë?
Natyrisht që më ka pyetur. Unë nuk kam qenë shumë dakord në fillim, por me kalimin e kohës më bindi. Ambicia e Elenës është televizioni dhe gjithmonë e ka parë “Big Brother”-in si një trampolinë.
Ka ajo vetëbesimin e fitueses së mundshme, dhe cila është arma e saj më e fortë?
Si çdokush që ka hyrë aty brenda, edhe Elena e ka menduar të paktën një herë veten fituese, ka bërë llogaritë se çfarë do të bëjë me paratë etj. (qesh)… Armë të forta ka shumë, mjafton të lexoni më sipër, ndërsa sa i takon pikës së dobët, besoj se malli për familjarët, të qenit larg tyre, do ta dobësojë cilësinë e lojës së saj. Elena është shumë e lidhur me familjen.
Është ajo një vajzë e zgjuar?  Mendoni se është e aftë për të krijuar intriga brenda shtëpisë?
Elena është shumë e zgjuar, është vajzë e lexuar, por intrigat nuk janë pjesë e karakterit të saj. Kështu është krijuar ajo, nuk mund t’i bëjë keq dikujt tjetër për të fituar vetë.
Cilat janë disa aventura që keni bërë së bashku, sa e guximshme është ajo për ta vënë veten në rrezik?
Si çdo të riu, edhe Elenës i pëlqen të rrezikojë, por gjithmonë duke pasur një sens mase.
Cila është marrëdhënia e saj me paranë?
Nuk është e fiksuar pas tyre.
Me tipin që ka, mundet që të krijojë lidhje të re brenda shtëpisë, si do të ndiheshit?
Nuk është Elena biondja flirtuese, siç është krijuar përshtypja deri tani. As nuk e çoj nëpër mend diçka të tillë, për pasojë s’e imagjinoj dot si do të ndihesha.
Nëse do t’i hynte televizionit, në ç’format do mund ta shihnim?
Elena e dashuron gazetarinë, kështu që dëshiron shumë që një ditë të ketë programin e saj në televizion.